Sunday, August 9, 2009

në mundesh / RUDYARD KIPLING

Në mundesh të ruash arsyen
Kur bota e humbet fillin
Dhe fajin ty ta hedh,
Sa herë të dyshojnë e s'të përfillin,
Dhe vetes t’i besosh
Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje,
Nga pritja pa u lodhur
E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim
Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh
E të trajtosh njëlloj e pa dallim
Ngadhnjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta
Në kurthe për trutharët, kopukët të t’i kthejnë,
T’i thyesh gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh
Me vegla që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret që ke korrur, t’i flijosh
Si në kumar, në një të vetme lojë
Të rrezikosh, të humbasësh, e prapë t’ia fillosh
Dhe humbjen kurrë të mos e zësh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, puls e zemër
Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë
E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,
Që veç një fjalë, “qëndro” gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë
Por nderin tënd ta ruash
E të ecesh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon
Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash
Dhe gjithçka e çmon, përveç sa meriton.

Në mundesh të mbushësh
Ti minutat,
Aq të rënda, me vepra që peshojnë,
Dije, dhe mos ki asnjë dyshim
E jotja do jetë bota me ç’ka brenda
Dhe burrë do jesh, o biri im….

No comments:

Post a Comment