Sunday, August 9, 2009

shall i zi / PUSHKIN

Vështroj si i çmendur këtë shall pis të zi,
Dhe shpirtin e ftohtë ma mbyt nj'i angushti.
I ri kur kam qenë, plot vrull, guximtar,
Një greke të bukur e desha me zjarr.

Dhe puthjet e saja nuk kishin mbarim,
Por, ishte i shkruar i zi fati im.
Një natë po pinja me miq në gosti,
Kur portës trokiti nj'i i lig jahudi.

"Ti pi e defrehesh" çifuti më tha,
"por grekja e bukur, të shkoi e të la"
I dhashë të holla me lot e mallkim,
Dhe thirra tronditur të vijë skllavi im.

Dhe dolëm…
Vraponim mbi kuajt, veri,
Mëshira më flinte këtu m'u në gji.

Dhe porsa e pashë, oh, pragun e saj,
m'u errën krejt sytë, m'u mbushën me vaj.
Dalldisur shoh vajzën që mua s'më ndjen,
Në krah e pushtonte plot afsh një armen.

Prap sytë m'u errën e thika gjëmoi,
Ai, as të puthurën dot se mbaroi.
Kufomën e shtyva me këmbë.
Pastaj...
Vajtova mbi vajzën, mbi gjoksin e saj.

Kujtoj si po dridhej, si lutej ngadalë...
Më vdiq dhe kjo greke më shkoi dhe ky mall!
Dhe shallin ja hoqa, s'iu desh ai më,
Çelikun e thikes e fshiva me të.

Dhe skllavi kur nata gjithë gjurmët i humb,
Kufomat e tyre i hodh' në Danub.
Q'ahere nuk puthë sy të bukur më jo,
Dhe net gëzimesh q'ahere nuk njoh.

....Vështroj si i çmendur, unë, shallin e zi,
Dhe shpirtin e ftohtë ma mbyt nj'angushti
.

në mundesh / RUDYARD KIPLING

Në mundesh të ruash arsyen
Kur bota e humbet fillin
Dhe fajin ty ta hedh,
Sa herë të dyshojnë e s'të përfillin,
Dhe vetes t’i besosh
Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje,
Nga pritja pa u lodhur
E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim
Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh
E të trajtosh njëlloj e pa dallim
Ngadhnjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta
Në kurthe për trutharët, kopukët të t’i kthejnë,
T’i thyesh gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh
Me vegla që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret që ke korrur, t’i flijosh
Si në kumar, në një të vetme lojë
Të rrezikosh, të humbasësh, e prapë t’ia fillosh
Dhe humbjen kurrë të mos e zësh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, puls e zemër
Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë
E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,
Që veç një fjalë, “qëndro” gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë
Por nderin tënd ta ruash
E të ecesh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon
Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash
Dhe gjithçka e çmon, përveç sa meriton.

Në mundesh të mbushësh
Ti minutat,
Aq të rënda, me vepra që peshojnë,
Dije, dhe mos ki asnjë dyshim
E jotja do jetë bota me ç’ka brenda
Dhe burrë do jesh, o biri im….

një vajzë / ISMAIL KADARE

Duke të puthur,
pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty "të shtiu në dorë
"Gjith' shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete,
bosh mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë,
ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon
Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
"E sheh filanen? E ka pas...

"Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T'arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
"Ah, njëlloj janë të tërë djemtë"

Të dyja t'ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigaretek supi i saj,
nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t'marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M'e gjerë, m'e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s'do të të venë re.

Atje ku t'ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t'i bjerë shokut:
"E sheh filanen? Ishim miq..."

më prit se po vij shpejt / DRITËRO AGOLLI

Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as carcaf e as jorgan,
Por te një cezmë e të një krua
Më shtroni dushk e jorgavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim,
Dhe kur të vijë andej një flutur
S`ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog, as profesor,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përcor.

Të m'i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Të mors të japë telegram.

Të presë plot trishtim fshatari,
Njëshkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s'u

I madh, i bukur, plot shëndet
Dhe rrugës sime nga u nisa
T'i them: më prit se po vij shpejt!...